Shumë prindër i gëzohen lidhjes që përjetojnë kur shohin beben e tyre në pamjet 3D/4D.
Ne synojmë të përftojmë pamje të qarta 3D/4D të foshnjës suaj gjatë shtatzënisë. Por më e rëndësishme për ne është të sigurohemi që bebja juaj të jetë i shëndetshëm e me zhvillim të mirë. Për këtë arsye, pamjet 3D/4D të fëmijës suaj nxirren shpesh në fund të ekzaminimit, pasi bebja është kontrolluar plotësisht në ekografinë 2D dhe janë kryer të gjitha matjet rutinë. Pamjet 3D/4D të foshnjës suaj duhet t’i shihni si një bonus të ekzaminimit dhe jo si qëllim kryesor i kontrollit. Në spitalin Hygeia ekografia 3D / 4D ofrohet që prej vitit 2009.
Koha më e mirë për të përftuar imazhe të qarta 3D/4D të bebes suaj është midis javës së 24 dhe javës së 34. Pamjet në fazat më të hershme të shtatzënisë (për shembull, në ekografinë morfologjike rutinë të javës 18-20) duken ndryshe nga fytyra e këndshme e bebes me faqe buçko që keni parë në TV apo nëpër artikuj revistash.
Bebet gjatë fazës së hershme të shtatzënisë nuk kanë të njëjtin nivel të indit adipoz subkutan. Kjo nënkupton që bebja juaj do të duket më pak “i mbushur” dhe më skeletik apo i dobët në pamjet 3D/4D. Shumë prindër ende kanë dëshirë t’i shohin këto pamje të hershme 3D/4D, sidomos kur fëmija e tyre lëviz. Imazhe të bukura dhe të qarta 3D/4D të bebes suaj, sidomos të fytyrës, shihen shpesh në ekografinë e tremujorit të tretë.
Që të marrim pamje të mira 3D/4D duhet që fëmija të “bashkëpunojë” dhe të ketë likid amniotik të mjaftueshëm përballë strukturës ku merret pamja. Disa bebe ngjishen pas mureve të uterusit ose placentës, apo mund t’i kenë krahët e duar të vendosura përpara fytyrës. Kjo e vështirëson ose e bën të pamundur përftimin e pamjeve 3D/4D. Është mirë që prindërit të presin që të shohin fëmijën e tyre tek rritet, por ata nuk duhet të zhgënjehen shumë nëse është e vështirë të përftohen imazhe 3D/4D.